Secondary Adv

Kosova ende pa qeveri, por miraton buxhetin 2026 prej 4 miliardë eurosh

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2026, me 4 miliardë euro, përfshirë rritje pagash, pensione dhe ndihma për fëmijët.

Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi projektbuxhetin e vitit 2026, ndonëse vetëm pak ditë më parë kryeministri Albin Kurti nuk arriti të formojë kabinetin e ri qeveritar në Parlament. Sipas Kurtit, ndarja buxhetore për vitin financiar 2026 parashikon një total prej 4 miliardë eurosh, nga të cilat rreth 1 miliard euro janë të dedikuara për investime kapitale.

 

“Buxheti i ri do të jetë 4 miliardë euro. Rreth 1 miliard euro janë buxhetuar për investime kapitale. Me këtë buxhet do të ketë pagë të 13-të për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Është përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë për 0.5 për qind për çdo vit përvojë pune në sektorin publik”, tha Kurti.

 

Rritje për pensionet dhe shtesat për fëmijët

Gjatë mbledhjes, Qeveria në detyrë vendosi gjithashtu të rrisë pensionin minimal nga 120 në 150 euro, si dhe shtesat për të gjithë fëmijët nga 0 deri në 16 vjeç me 50%. Rreth 200.000 pensionistë dhe mbi 400.000 fëmijë do të përfitojnë nga këto ndryshime që do të hyjnë në fuqi më 1 nëntor. Këto masa, sipas Kurtit, synojnë të mbështesin shtresat më të ndjeshme të shoqërisë dhe të ruajnë stabilitetin ekonomik të familjeve kosovare.

 

Dyshime për vlefshmërinë ligjore të buxhetit

Pavarësisht miratimit në qeveri, mbetet e paqartë nëse ky projektligj mund të shqyrtohet dhe të hidhet në votim në Kuvendin e ri të Kosovës. Ekspertë të së drejtës kushtetuese theksojnë se një qeveri në detyrë nuk ka kompetencë për të propozuar dhe miratuar buxhetin për vitin pasardhës, pasi kjo është detyrë e qeverisë së re që do të dalë nga procesi i formimit të kabinetit. Situata aktuale ka hapur debat mbi legjitimitetin institucional të vendimit dhe ndikimin që ai mund të ketë në procesin buxhetor të vitit të ardhshëm.

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat